“Ballkani i hapur”, varianti ekonomik i “Botës Serbe” – Nga Lisen Bashkurti
Ndonëse u bënë disa vjet dhe janë konsumuar disa samite trepalëshe sërish nisma “Ballkani i Hapur” vazhdon të ngelet thjeshtë një trojkë Ballkanike. Nisma është inicuar nga Serbia, në të njëjtën kohë me idenë e “Botës Serbe”. Për këtë arsye nisma “Ballkani i Hapur” tingëllon si një ribrandim i doktrinës gjeopolitike serbe në Ballkan. Nisma “Ballkani i Hapur” është variant ekonomik i “Botës Serbe”. Është pikërisht kjo arsyeja që nisma ka ngjallur një skepticizëm të madh dhe të pandryshueshëm prej vitesh.
Nisma “Ballkani i Hapur” ka nisur e tkurrur, e fragmentuar dhe me paqartësi në perspektivën dhe shtrirjen e saj. Këto dobësi të nismës burojnë parasëgjithash dhe në krye të të gjithave për shkak të mos mbështetjes së saj në shumë nivele: në nivele kombëtare, rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.
1. Mbështetje okulte, jo kombëtare
Nisma “Ballkan i Hapur” ka nisur nga Beogradi dhe është mbështetur në mënyrë okulte nga dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Zaev. Në Shqipëri nisma “Ballkan i Hapur” filloi gati-gati si një iniciativë konspirative. Ajo nuk u parapri dhe as nuk u shoqërua me paraqitje të hapur transparente në Kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin e Politikës së Jashtme të tij, nuk iu nënshtrua debateve publike dhe konsultave me grupet e interesit. Gjithçka ndodhi si një rrufe në qiell pa re. Akoma më tej nisma “Ballkan i Hapur” nuk u parapri me bisedime, dialog e negocime me qeverinë e Kosovës, partneriteti me të cilën ka qënë e ngelet strategjik për Shqipërinë.
Në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë ka pasur një traditë shumë të mirë. Politika e Jashtme e vëndit është mbështetur kurdoherë në konsesus. Orientimi Euro-Atlantik, integrimi Evropian, politika e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal kanë pasur një mbështetje të gjërë dhe të qëndrueshme konsesuale në politikën shqiptare.
Shqipëria ka marrë pjesë aktivisht në gjithë nismat Rajonale si Pakti i Stabilitetit, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi, Nisma e Evropës Qëndrore, Bashkëpunimi i Evropës Juglindore, Karta e Adriatikut, Nisma Adriatiko-Joniane – që në tërësinë e tyre i kanë shërbyer në mënyrë të drejtë e të barabartë vëndeve të rajonit tonë për paqen, stabilitetin, demokracinë, zhvillimin, prosperitetin social-ekonomik dhe integrimin Europian dhe Euro-Atlantik. Të gjitha këto nisma janë zhvilluar nëpërmjet proceseve dhe procedurave të hapura, me qëllime të qarta, objektiva të përcaktuara, projekte zhvillimore të dakorduara, plane veprimi, paketa financiare fizibile dhe kështu kanë siguruar mbështetje politike konsensuale në nivele nacionale. Në analizë të fundit gjithë këto nisma i kanë shërbyer përgatitjes së vëndeve të rajonit për integrimin Europian dhe Euro-Atlantik.
Konsesusi politik kombëtar u siguron nismave të tilla perspektivë, qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi. Nisma “Ballkani i Hapur”, e inicuar nga Serbia, si variant ekonomik i “Botës Serbe” dhe e mbështetur në mënyrë okulte nga dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Zaev nuk ndoqi proceset dhe procedurat e hapura e transparente të nismave parardhëse rajonale. Kështu që “Ballkani i Hapur” nuk gjeti mbështetje politike konsesuale as në vëndet që iu bashkuan nismës. Me këtë, nisma “Ballkani i Hapur” ka vënë në dyshim perspektivën, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e saj.
2. Mbështetje fragmentale, jo rajonale
Nisma në fjalë e ka emrin “Ballkan i Hapur”, por në fakt duket të jetë thjesht një trojkë Ballkanike e asgjë më shumë. Është një asimetri e vërtetë midis emrit të lançuar dhe realitetit brënda nismës. Është i njohur përcaktimi i Biblës që thotë se “mënyra se si vijmë në këtë botë, përcakton edhe mënyrën se si largohemi prej saj”.
Nisma “Ballkani i Hapur” nisi si shumica e nismave tradicionale Ballkanike, midis konspiracionit e publicitetit. Ajo u lançua pothuajse paralelisht me nismën e “Botës Serbe”, e cila është parashtrimi në emër të ri i një doktrine të vjetër të Serbisë së Madhe. “Bota Serbe” është vazhdimi në realitetete të reja i doktrinës së Naçertanies të Ilia Garashaninit, i doktrinës së “Përzënies së Shqiptarëve” të Vasa Çubriloviçit, i doktrinës së Ivo Andriçit, i Memorandumit SANU të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe së fundmi i doktrinës së Sllobodan Millosheviçit dhe pasuesve bashkëkohorë të tij.
Lançimi i “Ballkani të Hapur” paralelisht me “Botën Serbe” lypet të vihet në një kontekts të gjërë ballkanik. Serbia si çdo shtet tjetër, nuk mund të ketë dy politika të Jashtme. Serbia ka një dhe vetëm një politikë të Jashtme. Ajo mishërohet në qëllimin e saj për restaurimin e pozitave të Serbisë në Ballkan me anë të disa rrugëve.
Së pari, nëpërmjet bllokimit të Kosovës dhe nxitjes së minoritetit serb në Veri dhe në komunat me shumicë serbe, me anë të projektit të asosiacionit të tyre. Së dyti, nëpërmjet politikave separatiste të Republikës Serpska, të udhëhequr nga nacionalisti Dodik në Bosnje-Hercegovinë. Së treti, nëpërmjet nxitjes së nacionalizmit pro-serb në Mal të Zi. Së katërti, nëpërmjet mbështetjes në prapavijë të Kishës Ortodokse Serbe si një organizatë politike dhe jo klerikale thellësisht nacionaliste në gjithë zinxhirin e vëndeve përreth Serbisë. Së fundi, nëpërmjet mbështetjes së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe elaborateve të saj të bazuara në mite manipulative të historisë dhe identitetit të Serbisë kudo në botë.
Skepticizmi i thellë rajonal kundër nismës “Ballkani i Hapur” i është në fakt skepticizëm i qartë dhe i dukshëm kundër doktrinës restauratore të “Botës Serbe” në kushtet e rendit bashkëkohor. Qëndrimet e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës kundër kësaj nisme janë na fakt qëndrime mosaprovuese për doktrinën e “Botës Serbe”. Të tre këto vënde kanë bashkëjetuar thuajse një shekull me Serbinë në kuadër të Jugosllavisë. Ata e njohin politikën e Serbisë më mirë se kushdo tjetër në Ballkan. Kundërshtimi i tyre duhet dëgjuar me kujdesin më të madh dhe lypet të merret seriozisht në konsideratë.
Shumëçka ka ndryshuar në Ballkan. Vetëm Serbia ka ndryshuar fare pak. Kushtetuta e Serbisë është e mbështjellë plotësisht me doktrinën e “Botës Serbe”, ose e thënë ndryshe e nacionalizmit serbomadh. Politikat publike bazë të Serbisë synojnë mbështetjen e projekteve nacionaliste Serbe. Presidenti Vuçiç, qeveria Bernabiç, Parlamenti Serb me Daçiç, në kohezion të plotë mbështesin një tërësi politikash që synojnë zgjerimin e pranisë dhe të influencave serbe në Ballkan. Pakicat e huaja brënda Serbisë margjinalizohen, eksterminohen, injorohen nga çdo proces politikë-bërje e vendim-marrje me rëndësi. Kjo duket më qartësisht se kudo në Luginën e Preshevës. Nga ana tjeter, pakicat serbe rreth e rreth Serbisë nxiten për mosbindje politike, ligjore e civile ndaj shteteve ku janë dhe për separatizëm pro Beogradit.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina e ndjejnë më shumë se kushdo tjetër këtë politikë gravitacionale etnocentriste të Beogradit. Projekti “Ballkani i Hapur” synon që parasëgjithash të mbështetë këtë rrjet pakicash serbe kudo në Ballkan nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës ekonomike e tregëtare, projekteve të hapura për fuqizimin e tyre dhe infilrtimin në punët e brëndshme të shteteve Ballkanike. Atë që Serbia e bën hapur në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi, synon ta bëjë në mënyrë tërthore e të padukshme ose sa më pak të dukshme edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut nëpërmjet “Ballkanit të Hapur’.
Për të gjitha këto arsye tre shtetet e Ballkanit Perëndimor, pra gjysma e rajonit, nuk e mbështesin këtë nismë, janë skeptikë ndaj Serbisë dhe kundërshtojnë një “hapje” të tillë me një shtet që ka tendenca të dukshme restauratore të doktrinës së Serbisë së Madhe. Për vlerësimin e politikës së Jashtme të një shteti nuk ka gjithaq rëndësi se çfarë deklaron në retorikën e vet politike ai shtet, por në mënyrën sesi ai vepron e sillet me fqinjët e shtetet e rajonit perreth. Serbia ka një dyzim fare të qartë midis asaj që deklarohet dhe asaj që vepron dhe sillet me fqinjët e saj dhe vëndet e Ballkanit në tërësi.
3. Ambiguitet evropian, jo mbështetje e BE
Bashkimi Evropian është përballë një sfide të vërtetë në politikat e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor. BE ka bërë të qartë me deklarata, me veprime, me sjellje, me projekte dhe financime të konsiderueshme se është për integrimin e Ballkanit Perëndimor në organizatë.
Pavarësisht kësaj mbështetje Evropiane, sërish vëndet e Ballkanit Perëndimor po ecin ngadalë në procesin e integrimit. Ata po ndeshen me probleme të shumta që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mirëqeverisjen, të drejtat e njeriut, ekonominë e tregut dhe politikat e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal. Të gjitha vëndet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme në këto aspekte. Përveç këtyre problemeve, Ballkani Perëndimor ka në qëndër një shtet që është shumë evaziv në pranimin e adoptimin e vlerave Perëndimore të demokracisë liberale. Ky shtet është Serbia. Serbia është pengesa kryesore e integrimeve Europiane dhe Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor. Prapa Serbisë është doktrina gjeopolitike e Federatës Ruse.
Serbia mbas ngjarjeve të viteve ‘99 u deklarua se do orientohej tërësisht drejt Bashkimit Evropian, sikundër do të qëndronte në neutralitet ndaj politikave strategjike të NATO-s. Ndërkohë, fare pak vite më vonë, Serbia bëri një kthesë të plotë në prioritetet e saj në politikën e Jashtme. Ajo adoptoi shumë shpejt një politikë të jashtme dy-vektorëshe, Euro-Ruse, si në planin politik, ashtu edhe atë ekonomik e strategjik.
Sot Serbia është vokacioni evropian në Kremlin dhe vokacioni Rus në Evropë. Akordi Serbo-Rus tanimë dëgjohet gjithandej. Kjo, sepse edhe Rusia ka bërë ndryshime të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike. Mbas viteve ’90 Presidenti Jelcin pat deklaruar se Rusia do të ndiqte një qasje rajonale në politikat ndaj Ballkanit. Por, me të ardhur në Kremlin Presidenti Putin, Federata Ruse u deklarua se do ndiqte politika të prioritizimit individual në Ballkan, duke pasur parasysh Serbinë. Rusia, iu kthye kështu doktrinës së vjetër gjeopolitike drejt Ballkanit, të bazuar në aleancën me Serbinë, popullin sllav dhe ortodoks serb. Kjo politike prioritare e individualizuar ruse me Serbinë duket si në projektet e përbashkëta politike, diplomatike, strategjiko-ushtarake dhe ekonomike midis Serbisë dhe Rusisë, por duket gjithashtu edhe në mbështetjen që Rusia po i bën politikës së Republikës Serpska në Bosnje-Hercergovinë dhe personalisht nacionalistit Dodik, në ndërhyrjen pa precedent në Malin e Zi dhe në bllokimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjithçka në Beograd po merr pamjen e Rusisë së Vogël.
I vënë në një situatë kritike dhe komplekse, Bashkimi Evropian po përpiqet me “stick and carrot” ta mbajë Serbinë në track-un e vet integrues. Mbas vitit ’99 Bashkimi Evropian po përpiqet të riekuilibrojë politikat e tij në nivel rajonal. Thellimi i procesit të integrimit me avancimin e kapitujve të tjerë për Serbinë, po dëshmon se Bashkimi Evropian si “soft power” po dëshmon se po rrit praninë dhe ndikimin e tij në tërë rajonin. Integrimi në BE vazhdon të konsiderohet si projekti magjik për vëndet e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, BE vijon të rrisë politikat e presionit që Serbia të mbështesë europianizmin e saj dhe të reduktojë rusifikimin. Karta e njohjes së Kosovës nga BE dhe shtetet anëtare të saj bie gjithnjë si këmbanë alarmi mbi Beogradin. Por, frika në BE se Serbia mund të shndërrohet në “Kalë Troje” të Rusisë brënda BE është e dukshme, por, ama, diplomacia e BE di fare mirë ta fshehë këtë frikë me ngjyra e tone optimiste.
Diplomacia e BE duket edhe në qasjen ndaj nismës së “Ballkanit të Hapur”. Institucione dhe personalitetet të ndryshëm brënda BE kanë mbajtur e mbajnë qëndrime kontraverse ndaj kësaj nisme, çka do të thotë se BE nuk e mbështet nismën. Për një kohë të gjatë “Ballkani i Hapur” u konsiderua nga zërat e BE si përpjekje për gjetjen e një alternative të integrimit në BE. Më pas u shtuan zërat që vëndet e Ballkanit Perëndimor duheshin fokusuar në Procesin e Berlinit si një projekt i BE ndaj Ballkanit Perëndimor. Kohët e fundit nga Brukseli zyrtar kemi dëgjuar qartësisht definicionin sipas të cilit “Ballkani i Hapur” “nuk është një nismë e shëndetshme”. Ndërsa në samitin e fundit të Tiranës, komisioneri për zgjerimin i BE, Varhelhy u shpreh se e admironte këtë nismë dhe apeloi që vëndet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten nismës.
Por, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe pa kurrëfarë ambiguiteti diplomacia e BE flet me zërin e Berlinit zyrtar për nismën “Ballkan i Hapur”. Qeveria e re Gjermane e Olaf Scholz, u deklarua në të njëjtën linjë me qeverinë paraardhëse të Merkelit lidhur me “Ballkanin e Hapur”. Qeveria Scholz u shpreh qartazi se nuk mbështet “Ballkanin e Hapur”, por Procesin e Berlinit, i cili është një investim i drejtpërdrejtë i BE për të përgatitur Ballkanin Perëndimor me tregun e saj si dhe për të siguruar një lidhshmëri rajonale dhe midis rajonit dhe organizatës. Pra, diplomacia e BE nuk mbështet mbivendosje nismash rajonale, përveç atyre të inicuara dhe të financuara prej saj.
Me këto qëndrime variable BE vetëm e ka rritur skepticizmin e mëtejshëm të vëndeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”. Në thelb politikat e BE maten jo me deklaratat shumëngjyrëshe të diplomacisë së saj, por me paketën financiare që mbështet këto politika. Deri tani asnjë cent nga financat e BE nuk është hedhur për “Ballkanin e Hapur”, ndërkohë që projektet e BE, duke përfshirë edhe procesin e Berlinit kapin një shumë prej afro 30 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Në BE euro-t flasin më shumë se fjalët. Si “soft power” BE është organizata e euro-diplomacisë.
4. SHBA mbështet Ballkanin Perëndimor, jo trojkën
Në dekadën e fundit diplomacia e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor ka lëvizur në një trajektore krejt të kundërt me atë të Federatës Ruse. Ndërsa Rusia ka kaluar nga qasja rajonale me ekulibre Ballkanike nën Presidentin Jelcin, drejt prioritizimit të qasjes individuale proserbe nën Presidentin Putin, SHBA kanë kaluar nga qasja prioritare individuale pro Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës e Presidentëve Klinton e Bush, drejt qasjes rajonale me ekulibre ballkanike të Presidentëve Obama dhe Biden.
Në këtë kontekst lëvizjet e diplomacisë së SHBA drejt Ballkanit Perëndimor synojnë që të tërheqin Serbinë nga gravitacioni i Kremlinit drejt hapësirave europiane dhe euro-atlantike. Pavarësisht efikasitetit të diplomacisë së SHBA në Ballkanin Perëndimor, qasja rajonale e tyre do të sjellë impakte me rëndësi me kalimin e kohës për fuqizimin e vlerave perëndimore në këtë rajon. Këtë proces transformimi rajonal të Ballkanit Perëndimor do e lehtësojë dhe shpejtojë ballafaqimi në rrafsh ndërkombëtar midis Perëndimit në tërësi dhe Federatës Ruse në veçanti.
Vendosja e diplomacisë së SHBA në kontekst rajonal në Ballkanin Perëndimor duket qartësisht edhe në mënyrën se si diplomacia amerikane i është përafruar nismës së “Ballkanit të Hapur”. Qëndrimi SHBA për këtë nismë është definuar qartësisht në kuadër rajonal: SHBA mbështesin nismën “Ballkan i Hapur” nëse asaj i bashkëngjiten të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përndryshe nisma nuk mund të ketë sukses. Ky qëndrim amerikan është i qartë dhe parimor.
Ballkani Perëndimor nuk është trojkë, por është format gjashtë shtetesh dhe si i tillë ai lypet të formatizojë dhe realizojë gjithë iniciativat e tij rajonale. Kalimi i nismës “Ballkan i Hapur” nga trojka aktuale në format gjashtë shtetesh kërkon që Serbia të heqë dorë nga qëllimi djallëzor për përdorimin e kësaj nisme si variant ekonomik i “Botës Serbe’, që mbështetja okulte nga dyshja Rama-Zaev të zëvëndësohet nga gjithëpërfshirja dhe konsesusi politik dhe shoqëror në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që të vijojnë bisedimet, dialogu e negociatat me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën për përafrimin e qëllimit, të objektivave dhe projekteve të drejta dhe të barabarta për gjithë rajonin, që të sigurohet mbështetja e plotë dhe institucionale e financiare e BE dhe e SHBA. Përndryshe nisma “Ballkan i Hapur” do shuhet si shumë nisma rajonale ballkanike, prapa të cilave janë fshehur qëllime krejtësisht të kundërt nga ato të parashtruar publikisht.
©Lisen Bashkurti